Integrimi, jo vetëm për të marrë “merita” politike
5/25/2026


Shqiptarët mbeten ndër popujt më pro Bashkimit Europian në Ballkan. Prej vitesh, sondazhet tregojnë mbështetje të lartë për integrimin, shpesh më të lartë sesa në vende që janë tashmë pjesë e BE-së. Në pamje të parë, kjo duket si një lidhje emocionale me Europën, me vlerat dhe modelin perëndimor.
Por në thelb, entuziazmi i shqiptarëve për BE-në është edhe një reflektim i zhgënjimit të madh me mënyrën se si ka ecur vendi në këto tri dekada.
Për shumë qytetarë, Europa nuk është thjesht një projekt politik. Ajo është një rrugëdalje nga problemet që Shqipëria nuk ka arritur t’i zgjidhë vetë: ekonomia e dobët, mungesa e perspektivës, emigracioni masiv, korrupsioni i përhapur, mosbesimi te politika, paqartësitë për të ardhmen, që po detyron shumë të rinj apo dhe familje, edhe ato me të ardhura të mesme e të larta, të vijojnë të ikin në emigrim.
Në këtë klimë, integrimi është shndërruar më shumë në një shpresë për “normalitet” sesa thjesht në një objektiv diplomatik. Një tjetër element joshës ka qenë edhe liria që lidhet me projektin europian: mundësia për të studiuar jashtë, për të punuar, për të lëvizur lirisht, për të pasur më shumë të drejta dhe standarde më të mira jetese.
Politika shqiptare e ka kuptuar prej kohësh këtë dëshirë kolektive për Europën dhe e ka kapitalizuar maksimalisht. Integrimi europian është bërë premtimi më i madh elektoral, si për të mbajtur pushtetin, ashtu edhe për ta marrë atë. Çdo palë politike përpiqet të paraqitet si “forca që do ta fusë Shqipërinë në BE”, ndërsa procesi shpesh përdoret si instrument propagandistik për të marrë merita politike.
po e merr atë seriozisht. Për vite me radhë, integrimi është trajtuar kryesisht si proces politik dhe jo si transformim ekonomik. Ndërkohë, bizneset kanë vazhduar të operojnë me standarde lokale, shpesh larg kërkesave europiane.
Integrimi nuk duhet të jetë një slogan elektoral apo një mënyrë për të fituar pikë politike. Ai duhet të jetë një proces që i shërben vendit për të ngritur standardet, për të krijuar ekonomi më konkurruese, për të ndërtuar institucione më të forta dhe për të ofruar më shumë mirëqenie për qytetarët.
Nëse Shqipëria hyn në BE pa përgatitur ekonominë reale, rrezikon që tregu vendas të mbushet nga kompani europiane më konkurruese, ndërsa bizneset shqiptare të mos arrijnë të mbijetojnë dhe vendi të bëhet një “supermarket i madh”, ashtu siç kanë paralajmëruar shpesh prodhuesit vendas.
Integrimi i vërtetë nuk matet me numrin e kapitujve të hapur, por me aftësinë e vendit për të funksionuar sipas standardeve europiane.
Sepse Europa nuk është thjesht një derë ku hyn. Nuk është as përkthim legjislacioni, qoftë edhe me ChatGPT. Është një standard që duhet ta arrish. Dhe pyetja thelbësore që duhet të bëhet është përse politika dhe shteti shqiptar dështoi në arritjen më të hershme të anëtarësimit në BE./ Monitor
Kontakt
Info@durresiweb.com
© DurresiWeb 2026 All rights reserved.
