Rreth Durresit
WeRrethi i Durrësit është njëri nga 36-të rrethet e Shqipërisë. Rrethi bën pjesë në Qarkun të Durrësit. Rrethi i Durrësit ka 242,801 banorë (sipas 2009), një sipërfaqe prej 433 km² dhe kryeqendër Durrësin.
Shtrihet nga Kepi i Rodonit në veri deri tek Përroi i Agait pas Shkëmbit të Kavajës me një sipërfaqe 430 km² dhe lartësi mesatare 2-6 m mbi nivelin e detit.
Qyteti zë pjesën perëndimore me koordinata 41° e 18’ e 40’ gjerësi gjeografike veriore deri në 19° e 26’ e 21’ gjatësi gjeografike lindore me sipërfaqe 1.626 ha.
Kufijtë – Vija e përgjithshme kufitare është 121,3 km (52,4 km kufij tokësorë, 61,8 km kufij detarë dhe 7,1 kufij lumorë). Kufizohet në veri me Rrethin e Kurbinit, me Rrethin e Tiranës e Rrethin e Krujës në lindje e verilindje, Rrethin e Kavajës në jug e juglindje dhe me Detin Adriatik në perëndim.
Reshjet – Sasia mesatare e reshjeve është 963,4 mm/vit ose 116 ditë në vit.
Relievi është kryesisht fushor dhe me përbërje të pakta kodrinore, me lartësi deri 200m mbi nivelin e detit.
Klima është mesdhetare. Temperatura mesatare vjetore e ajrit është 16°C, diellzimi numëron 2.026 orë në vit.
Zona Gjeografike: Bashkia Durrës kufizohet në perëndim me Detin Adriatik, në veri me bashkinë Kurbin, në lindje me bashkitë Krujë, Vorë e Shijak dhe në jug me bashkinë Kavajë.
Popullsia: Sipas censusit të vitit 2011, në territorin e bashkisë së re Durrës banojnë 175,110 vetë ndërsa sipas regjistrit civil popullsia rezidente është 299,989 vetë. Me një sipërfaqe prej 338.30 km2, densiteti i popullsisë sipas të dhënave të Censusit 2011 është 517 banorë km2 ndërsa sipas Regjistrit Civil është 680 banorë km2.
Të dhëna të tjera: Bashkia e Durrësit shtrihet përgjatë bregut të detit, nga grykëderdhja e lumit Ishëm në veri deri në kufi me Kavajën në jug. Vija e gjatë bregdetare që i shtohet qytetit të Durrësit e thekson tiparin e kësaj bashkie si zonë turistike, pasi përveç plazhit të Durrësit asaj i shtohet i gjithë gjiri i Lalëzit si dhe Kepi i Rodonit, të cilat deri tani kanë qenë pjesë e komunave Ishëm, Sukth, Katund i Ri dhe Rrashbull.
Durrësi ka gjithashtu portin më të madh në Shqipëri, ku përpunohet mbi 90 për qind e të gjithë volumit të ngarkim-shkarkimit portual, gjë që e bën atë nyjën më të rëndësishme tregtare në vend.
Për shkak të lehtësisë që krijon porti, Durrësi është zhvilluar edhe si një qytet i rëndësishëm për manifakturën, ndërsa joshja nga turizmi ka shkaktuar gjatë dy dekadave të fundit një bum në sektorin e ndërtimit. Durrësi është gjithashtu një zonë e rëndësishme arkeologjike, pasi nën qytetin aktual gjenden disa shtresa qytetërimesh antike. Zbulimet arkeologjike janë të shumta, ndërsa ndërtimet e dekadave të fundit kanë dëmtuar një pjesë të kësaj trashëgimie.
Turizmi veror dhe kulturor është një industri me ndikim të rëndësishëm në ekonominë e Durrësit. Niveli i të papunëve për rrethin e Durrësit shkon në rreth 10,38%, ku papunësia është më e përhapur te femrat. Sektori privat ka punësuar rreth 31,3%, i ndjekur nga sektori bujqësor privat me 36,7%, dhe sektori shtetëror me 21.3%.